Organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe me mbështetje të Qeverisë së Kosovës, të mërkurën në Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj është hapur Panairi i 18-të i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2017”
Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se në këtë panair po marrin pjesë 105 pjesëmarrës nga rajoni dhe bota. “Edhe pse është vështirë të ndahet politika nga ekonomia, megjithatë kjo prani e vendeve të tjera tregon se zhvillimi ekonomik po e gjen rrugën e tij në mënyrë sa më të pavarur”, tha ai. Gërxhaliu ka thënë se panairi ka rëndësi ekonomike dhe për promovimin e prodhimeve, dhe ka kërkuar që për ekonominë duhet bërë më shumë se sa të flitet. Ai bëri thirrje të ndahet shteti nga pushteti në mënyrë të atillë që të lihet anash përfitimi prej grupeve, si dhe dëshirat për karrierë. Ndërkaq, Ines Muçostepa nga Shqipëria, tha se për vitin tjetër, në panairin e radhës do të angazhohen që të sjellin sa më shumë biznese shqiptare. Me një fjalë rasti u paraqit edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili potencoi rëndësinë që kanë investimet në ekonomi. “T'i përkrahim bizneset në Kosovë. I ftoj edhe institucionet e Kosovës të ndihmojnë njerëzit e biznesit, sepse ata dinë të krijojnë vende pune. Ia kemi borxh Kosovës”, tha Bahtiri. Në panair pjesëmarrës ishte edhe një delegacion nga Kina, për t’u njohur më afër me prodhimet “Made in Kosova”/ KosovaPress